Milo, Godo, Nano, Ceka për Rugovën – (27 Maj 1999)


Milo, Godo, Nano, Ceka për Rugovën – (27 Maj 1999)

14:08 27/05/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Paskal Milo, Sabri Godo, Fatos Nano dhe Neritan Cekën, të cilët flasin për mos ardhjen në Tiranë të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Paskal Milo, ministri i Jashtëm:- “E vërteta është vetëm kjo që ju them unë zoti Rugova nuk erdhi, ashtu e gjykoi ai të arsyeshme që duke qenë në Maqedoni të mos vijë në Shqipëri këtë herë por e ka lenë portën të hapur që të vijë dhe një herë tjetër. Sigurisht unë e them edhe një herë atë që kam thënë dje, që unë shpreh keqardhjen që ai nuk erdhi në Tiranë dhe të shprehësh keqardhje kjo nuk do të thotë gjë tjetër veçse se mban një qëndrim të caktuar ashtu sikurse ka edhe shprehje të tjera në rast se do të mbash qëndrime të tjera. Le të shpresojmë që Rugova do të vijë një ditë në Shqipëri dhe kjo nuk është kërkesë vetëm e Qeverisë Shqiptare. Duhet ta kuptoni mirë edhe opinioni publik, kjo është kërkesë e të gjithë forcave politike në Shqipëri përfshi këtu edhe Partinë Demokratike që nëpërmjet shtypit dhe liderëve të saj ka shprehur që kërkon ta shikoje Rugovën në Shqipëri. Pra ne të gjithë duam që Rugova të vijë në Shqipëri”.

Republikani Sabri Godo:- “Kjo u shtohet atyre lëvizjeve të paspjegueshme të Rugovës, të takimeve dhe udhëtimeve të tija. Unë them se ai s’mund ta shpallë veten qëndrën e botës dhe të kërkojë që të tjerët të shkojnë tek ai, ai duhet të vejë atje ku është populli i tij. Nuk mund të lihet mënjanë Shqipëria. Ne nuk jemi një vend armiqësor për zotin Rugova. Ai ka lenë mbrapa vetes shumë gjëra të paspjeguara por tani duhet të spjegojë edhe këtë”.

Socialisti Fatos Nano:- “Është një vonesë e pajustifikueshme dhe me sa duket do t’i kushtojë jo vetëm Rugovës”.

Gazetari:- Megjithate kjo vërteton dhe fjalët që ai ka thënë më pas dhe në takimet me Millosheviçin, mosardhja në Tiranë?

Socialisti Fatos Nano:- “Nuk shkon karshillëku malësor në këto raste, duhet përgjegjësi para kombit dhe hapjen e gjithë atyre që po punojnë për çështjen
kombëtare”.

Neritan Ceka, kryetar i PAD:- “Nuk është koha e ruajtjes së kolltuqeve që kanë qenë kolltuqe në re. Shpresoj se kur shkoi tek Millosheviçi nuk ka shkuar si President i Kosovës, sepse po ta konsideronte veten Presidenti i Kosovës, duhet t’i shpallte luftë Millosheviçit edhe jo t’i jipte dorën. Por shpresoj gjithashtu që mos jetë koha e Esat Pashave”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme