Milo, rivendosen marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë – (16 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Shqipëria dhe Jugosllavia, rivendosën dje marrëdhëniet diplomatike. Shefi i diplomacisë shqiptare Paskal Milo, një ditë pas firmosje me homologun e tij jugosllav Svilanoviç, ka shpjeguar sot para gazetarëve, se ndryshimet demokratike në Beograd janë një zhvillim pozitiv, jo vetëm për popullin serb, por edhe për rajonin e marrëdhëniet tona dypalëshe.
Paskal Milo, Ministri i Jashtëm:- “Me ndryshimet që ndodhën në Beograd dhe me ardhjen në pushtet të forcave të opozitës demokratike, ashtu sikurse mjaft vende të tjera edhe Shqipëria reagoi në mënyrë pozitive ndaj këtyre ndryshimeve, gjë që krijoi mundësinë për fillimin e dialogut dhe zhvillimin midis dy vendeve tona”.
Përsa i përket konfliktit të fundit në Maqedoni, Milo u shpreh:
Paskal Milo, Ministri i Jashtëm:- “Ndërkohë që ne kemi nënvizuar se tensionet që janë krijuar në Maqedoni, nuk kanë origjinë të jashtme, nuk janë të importuara, por kryesisht këto janë probleme që janë akumuluar prej vitesh dhe që kërkojnë një reagim të drejtë dhe një dialog, ku të ballafaqohen me problemet dhe të kërkojnë rrugët për zgjidhjen e tyre”./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj