“Minisamit” në Bruksel për emigrantët
Liderët europianë do të përpiqen të dalin në një qëndrim të përbashkët për zgjidhjen e problemit të emigrantëve të jashtëligjshëm në “mini – samitin” e të dielës në Bruksel. Shpresat për marrëveshje megjithatë janë të pakta.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar pak më shumë se gjysma e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, vetëm 16 prej tyre kryesisht nga shtetet perëndimore. Ndërsa vendet lindore si katërshja e Vishegradit, e kanë bojkotuar. Projekti i Kancelarit austriak për kampe emigrantësh në Shqipëri, si vend jashtë kufijve të unionit ka mbështetjen dhe është më popullori mes liderëve europianë, kryesisht i atyre që kanë në koalicion nacionalistët. Mes tyre është edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila është e detyruar ta pranojë. Nëse Gjermania zhytet në destabilitet politik, kjo situatë reflektohet në gjithë Bashkimin Europian.
Edhe Italia mbështet ngritjen e kampeve jashtë kufijve europianë, por është kundër variantit të Ballkanit. Mbështet Afrikën Veriore. Ndërsa Presidenti francez Emanuel Makron i qëndron variantit të vjetër për kampe në vendet europiane si Italia e Greqia duke i qëndruar besnik traktatit të Dublinit. Ai thotë se përzgjedhja e azilkërkuesve politikë duhet të bëhet në këto vende. Ndërsa emigrantët ekonomikë duhet të dëbohen menjëherë.
Tv Klan