Ministri Çuçi sqaron në Opinion përse u largua Ardi Veliu


Ministri Çuçi sqaron në Opinion përse u largua Ardi Veliu

22:59 05/10/2021

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sqaroi arsyet e largimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Përse u largua drejtori i Policisë?

Dha dorëheqjen, absolutisht dha dorëheqje, ai ka gjykuar që të japë dorëheqjen, padiskutim është një dorëheqje që vjen jo e shtyrë dhe jo nën presion, por është një dorëheqje që ai e ka marrë në një moment dhe në një ushtrim të mandatit me shumë sukses sipas meje.

Si shpjegohet që lajmi doli rreth mesditës, ishit ju që latë të kuptohet që nuk është e vërtetë dhe pastaj doli që ishte i vërtetë. Në cilën orë e ka paraqitur dorëheqjen dhe a ishit ju në dijeni kur ishit në komision?

E rëndësishme është që nuk kemi të bëjmë me shkarkim. Unë nuk e di si ka qarkulluar lajmi. Unë kam qenë në mbledhjen e komisionit për 2 orë e gjysmë dhe nuk e kam ndjekur gjithë dinamikën e ecurisë së lajmit, por është e vërtetë që drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar, sepse nuk ka pasur arsye. Mandati i Ardi Veliut është një mandat i suksesshëm.

Kur e kishit informacionin që Ardi Veliu do të jepte dorëheqjen?

Informacionin e mora pasi mbarova Komisionin e Sigurisë në parlament që Ardi Veliu dha dorëheqjen.

A keni biseduar me kryeministrin më parë për ta shkarkuar ose për ta larguar me një mënyrë, përmes shkarkimit, transferimit, ose përmes detyrimit për dorëheqje, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë?

Jo-jo, nuk është kjo dinamika fare. E vërtetë është që me kryeministrin edhe publikisht, ne kemi vënë objektivat për 4-vjeçarin e ardhshëm dhe padiskutim që fillojmë një mandat të ri dhe do kishim padiskutim një kërkesë të shtuar punës ndaj punës së Policisë dhe ndaj rezultateve të policisë, që duhet thënë padiskutim ka qenë një mandat i suksesshëm edhe 4-vjeçari që kemi kaluar.

A kishte lidhje dorëheqja e zotit Veliu me afatin 100 ditor që zoti Rama i dha Policisë së Shtetit për të vendosur një kontroll mbi territorin dhe problematikën e rendit në përgjithësi?

Përgjithësisht ka qenë një përpjekje e mirë nga ana e policisë, dhe padiskutim që kërkesat tona, janë shumë më tepër sepse nëse ka një gjë që kemi thënë dhe e kemi theksuar në programin e ri të qeverisë në mandatin e tretë është pikërisht kontrolli i territorit. Dhe besoj se në këtë pikë, ne duhet të bëjmë shumë më tepër.

Cilat kanë qenë pakënaqësitë tuaja zoti Çuçi. Zakonisht kur njeriu ikën e përcjellin me trumpeta. Po cilat kanë qenë pakënaqësitë tuaja ndaj Ardi Veliut?

Nuk është vendi për të thënë pakënaqësi, sepse unë kam pakënaqësi edhe ndaj vetes time në ushtrimin e detyrës time publike.

Kush janë pakënaqësitë që keni ndaj vetes?

Pakënaqësi që kemi ndaj vetes… i rreshtoj çdo ditë në mëngjes, kur ulem në tavolinën e ministrit dhe nuk është çështje bisede. Por po jua them me bindje të plotë, në kaq muaj si ministër, Ardi Veliu ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë, i përkushtuar dhe profesionist.

Kush do të jetë drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit? A është e vërtetë që keni diskutuar me kryeministrin, madje e keni vendosur pavarësisht se nuk është zyrtarizuar, emrin e zotit Nano.

T’ia lemë më mirë nesër, që të kemi lajme dhe për nesër.

Po jo ne kemi lajme të tjera për nesër, nuk ka problem ma jepni që sot meqë jemi në lidhje. Pra a do të jetë zoti Nano, drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit?

Nesër ne mbledhim qeverinë dhe besoj do vendoset. Zoti Nano është një nga kandiaturave, por nesër do vendosim në mbledhjen e qeverisë.

A e ndjeni që rendi publik është vazhdimisht problematik në Shqipëri, sidomos kohët e fundit. 2 të vdekur dje në Elbasan në mes të rrugës, një avion pa asnjë shenjë dalluese që nuk e gjen as në Amerikën Latine, që ulet në Vermosh dhe largohen piloti me pasagjerin… një avion pa asnjë lloj sinjalistike dhe shumë probleme të tjera që kanë ndodhur. Pra a keni arritur në një përfundim, ka realisht probleme në Shqipëri së fundmi?

Jo nuk ka probleme të shtuara. Unë po ju përgjigjem vetëm me një statistike. Në 2013-n, kemi pasur 107 vrasje, në 2020 kemi pasur 52 vrasje. Nuk po bëjmë retorikë boshe, po i referohem vetëm statistikave, meqë përmendët vrasjet. Po ju flas me statistika që të mos hyjmë në debate të kota. Sepse më thatë a ka shqetësim të shtuar. Nuk ka shqetësim të shtuar, sigurisht lufta me krimin është e përditshme, do jetë dhe është një gjë që na shoqëron në gjithë zhvillimin tonë edhe shoqëron të gjithë botën e zhvilluar. E rëndësishme është që të mos dominojë krimi, por shteti. Unë besoj se ne jemi në situatën më të mirë në këto 30 vite, ku shteti ka në dorë të gjithë sigurinë e republikës dhe e them me bindje të plotë, se nëse në 2013-n kemi pasur 107 vrasje në 2020 kemi pasur vetëm 52 vrasje. Le t’ia lemë edhe 2021 statistikës, kur të mbarojë Dhjetori, por besoj se do ketë më pak edhe se 52 vrasje duke parë dhe trendin.  

A keni frikë që në ditët në vijim duke e lidhur edhe me deklaratat e kryeministrit për rritjen e çmimeve që mund të ketë protesta qytetare dhe a jeni të përgatitur për t’i menaxhuar ato?

Protesta është gjëja më e ligjshme në demokraci. E rëndësishme është të bëhen paqësore dhe besoj se policia ka pjekurinë e duhur për të menaxhuar çdo situatë që lidhet me protestat.

Ministri Çuçi iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, Artan Hoxha dhe Klodiana Lala

Artan Hoxha: Dëgjova para disa ditësh që italianët thanë se nuk kanë kapur asnjë gomone deri tani, ndërkohë sapo më erdhi lajmi nga kolegët përtej kufirit që sapo është zënë cisterna e modifikuar dhe kishte 300 kg kanabis.

Bledi Çuçi: Unë duhet ta verifikoj plotësisht që ta them. Ndërsa faktin që nuk është kapur asnjë gomone është fakt dhe këtë e them me përgjegjësi. Sivjet nuk është kapur asnjë gomone në Itali me hashash apo kanabis.

Artan Hoxha: Në vjeshtë do ta shohim se tani korret ajo.

Bledi Çuçi: Jo është korrja e dytë kjo. Ti ke thënë vetë që çmimet kanë arritur kulmin.

Artan Hoxha: Po ka filluar të bjerë prapë.  Interesohuni për rastin e Podgoricës sepse është një grup shumë i fuqishëm që ka përdorur një formë të re që nuk e kemi patur deri më tani, pra nuk kanë përdorur gomone për në Itali, por kanë përshtatur cisternën për ta nxjerrë në Bosnjë.

Bledi Çuçi: Kjo tregon që jemi efikasë në luftën kundër trafiqeve sepse gjithmonë kriminelët po gjejnë forma të reja.

Artan Hoxha: Fitoni ndonjë betejë tek-tuk, por lufta është akoma luftë.

Klodiana Lala: Zoti ministër nuk jam dakord me ju kur thoni që Zoti Veliu është larguar me dorëheqje megjithatë për këtë do të jap argumente më vonë. Pyetja e parë është në 100 ditët që kryeministri i la afat policisë, cilët janë rezultatet që ju ka referuar ju zoti ministër? Në këto 90 ditë, cila është pika kulminante, operacioni më i suksesshëm i saj?

Bledi Çuçi: Në këto 100 ditë operacioni më i suksesshëm është një operacion i përbashkët me disa shtete ku kemi sekuestruar një sasi shumë të madhe lëndësh narkotike dhe arrestuar shumë persona që kanë qenë të përfshirë në të. Është një sukses i policisë shqiptare dhe nuk vjen rastësisht.

Klodiana Lala: Paraardhësit tuaj kanë deklaruar që Shqipëria është e pastër 99% nga kanabisi, ndërkohë që pak ditë më parë kemi patur një tjetër dëshmor të policisë, Saimir Hoxha. A mund të na thoni cili është mendimi juaj sa i përket kanabisit në vend, në çfarë mase kultivohet?

Bledi Çuçi: Masa nuk është çështje. Që krimi do përpiqej të gjejë rrugët për të mbijetuar në formën që di ai, sigurisht. Jemi në luftë të pandërprerë dhe besoj se sivjet do të kemi rezultatet më të mira siç tha dhe Tani, do presim sa të kalojnë dhe këto dy muaj. Besoj se sivjet do të kemi rezultatet më të mira dhe treguesit janë për një situatë të tillë ku padiskutim sa i takon numrit të bimëve të asgjesuar dhe të dhënave indirekt tregojnë që lufta kundër lëndëve narkotike ka pasur sukses këtë vit. Sivjet do të kemi një nga vitet më të suksesshme në këtë luftë. Nuk jam naiv që të them që do zhdukim 100% pasi në të gjitha vendet e zhvilluara ka prezencë.

Klodiana Lala: Pyetja e tretë lidhet me Vlorën. Ka pasur shumë të zhdukur, asnjë herë Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme nuk kanë folur konkret për një numër të hetimeve penale, por në një këndvështrim të ministrit çfarë dëshmojnë këto raste, kur dhjetëra të rinj dhe pjesëtarë të botës së krimit janë zhdukur dhe nuk ka asnjë rezultat nga ana e policisë. Kryeministrit nuk i kërkoj që të japë detaje të hetimeve, por në perceptimin e Ministrisë së Brendshme çfarë po ndodh në Vlorë dhe në disa vende problematike.

Bledi Çuçi: Duhet të flasim konkretisht. Nuk kam një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë gjë. Duhet të jetë një fenomen që duhet investiguar më thellë, duke nisur nga fakti edhe pastaj nëse fakti ekziston për të parë se kush janë shkaqet./tvklan.al






Të ngjashme