Ministri i Drejtësisë Thimio Kondi intervistë (23 Mars 1999)
Intervistë me Ministrin e Drejtësisë Thimio Kondi.
Ministri i Drejtësisë Thimio Kondi: Ishte një proces i stërzgjatur, ndoshta një proces i vështirë qoftë në hetim, qoftë në gjykim. Gjithsesi unë them që as Prokuroria nuk e ka bërë punën siç duhet, ndoshta dhe Policia që nuk i ka dhënë mbështetjen e duhur Prokurorisë për të siguruar provat dhe në mënyrë të veçantë për të siguruar paraqitjen e dëshmitarëve në gjyq. Ashtu
siç deklaroi dhe Prokurori i Përgjithshëm unë e mbështes atë në qëndrimin e tij dhe jam i prirur të besoj se ashtu është që Prokuroria është treguar e papërgjegjshme në qëndrimin që ka mbajtur në dhënien e pretencës. Natyrisht me këtë qëndrim që mbajti Prokuroria i la shumë pak hapësira Gjykatës. Lirimi në mënyrë demonstrative në sallë aq më tepër ditën e një feste, ishte një ditë pushimi zyrtar, ishte një rast, nuk duhet të ndodhte. Sepse në fund të fundit dhe për ato akuza që mbeten ligji parashikon dënime më të rënda.
Gazetarja: Çfarë pasojash mendoni se do të ketë ky lirim, krijon një precedente, krijon një kauzë?
Ministri i Drejtësisë Thimio Kondi: Unë nuk mund të parashikoj pasojat. Gjithsesi janë angazhuar më shumë forcat e Policisë për të shmanguar
vetëgjyqësirat, për të shmangur gjakderdhjet, për të shmangur prishjen e
rendit.
Gazetarja: A mendoni që ka ndikuar korrupsioni në Gjyqësor dhe Prokurori në dhënien e një pretence të tillë?
Ministri i Drejtësisë Thimio Kondi: Nuk mund të flas për gjëra të tilla, nuk mund të flas për korrupsion, sepse nuk kam prova./tvklan.al
Gazetare : Eni Vasili