Ministri i Financave Angjeli i përgjigjet akuzave të Bërishës për ekonominë – (23 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Loja me shifrat dhe pagat është po aq e rrezikshme, sa fushata e parave të pastra të popullit në kulmin e lulëzimit të piramidave. Kështu i është përgjigjur akuzave të Berishës dhe premtimeve të tij për rritje pagash, Ministri i Financave Anastas Angjeli, i cili ka bërë një përmbledhje të objektivave të realizuara të kësaj qeverie ne periudhën tre vjeçare.
Ministri Angjeli e konsideron të gabuar politikën e ndjekur nga qeverisja e mëparshme, pasi ka shkurtuar shpenzimet e sidomos investimet dhe për pasojë është parë kolaps dhe krizë e plotë.
Anastas Angjeli:- “Sulmet e Berishës, ndaj situatës makroekonomike dhe stabilitetit makroekonomik, ndaj këtij stabiliteti, i cili tashmë po shkon drejt konsolidimit. Dua t’ju siguroj, se janë me pasoja të rënda për jetën e vendit, për të cilën çdo politikë e mbrapsht që i stimulon ato, duhet të përgjigjet. Taksapaguesit shqiptar, nuk duhet të paguajnë me pagën e tyre me dollarët false të Berishës, po me punë me mund dhe me djersën e tyre”.
E për të dalë nga kjo krizë, synimi i kësaj qeverie është rimëkëmbja ekonomike dhe vendosja e stabilitetit makroekonomik. Nga viti 98 deri në vitin 2000, pagat janë rritur çdo vit nga 10% është shprehur Angjeli./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti