Ministri i Jashtëm Milo për emigrantët (20 Korrik 1999)
Vazhdimi i fshesës greke ndaj emigrantëve shqiptare në Greqi ka detyruar Ministrin e Rendit Spartak Poçi të zhvillojë për disa orë në Janinë bisedime me Ministrin Grek të Rendit. Emigrantët nuk duhet të keqtrajtohen ka qënë kërkesa e prerë e Poçit, i cili i ka kërkuar palës greke finalizimin e marrëveshjes për legalizimin e emigrantëve të cilët nuk janë përfshirë në akte të kriminalitetit në Greqi. Në lidhje me këtë problem shprehet Ministri i Jashtëm Milo.
Paskal Milo: Kërkoj nga Qeveria Greke që të ndalojë dëbimin e emigrantëve shqiptarë që punojnë atje, do të kërkoj në mënyrë të veçantë që emigrantët shqiptarë të mos keqtrajtohen, të mos dhunohen, të mos u grisen dokumentet por të respektohen të drejtat e njeriut përsa u përket trajtimit të emigrantëve.
Ndërkohë Milo sqaron se në në Selanik dhe jo në Prishtinë do të jetë agjensia qendrore për rindërtimin e Ballkanit.
Paskal Milo: Agjencia për Rindërtimin e Ballkanit do të jetë Selaniku sipas vendimit që është marrë në Rio, ndërsa në Kosovë do të ketë një antenë për rindërtimin e Kosovës. Dhe ky vendim që është marrë dje…. duhet patjetër që të ratifikohet në Parlamentin Europian, gjë që do të bëhet në muajin Shtator./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame