Ministri i ri i Drejtësisë Arben Imami paraqet prioritete e punës – (12 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Ministri i ri i Drejtësisë Arben Imami, shpalli sot para medias drejtimet dhe prioritetet e punës në krye të këtij dikasteri. “Do të vazhdohet reforma legjislative, pasi kjo reformë tashmë ka shënuar progres”, tha Imami. Plotësimi i trupës gjyqësore në të ardhmen, do të ketë vetëm një burim, shkollën e Magjistraturës, tha Ministri ri i Drejtësisë Imami.
Ministria e Drejtësisë tha Imami është keqkuptuar pasi ajo nuk vë drejtësi por krijon shërbime të nevojshme për të dhënë drejtësi. Do të punojmë, tha Imami, të përmirësohet shërbimi në përmbarim apo i avokatëve, noteri, si dhe në burgje.
Arben Imami, Ministri i Drejtësisë:- “Themelore do të jetë përmirësimi i kushteve të punës në gjykata. Në vëmendje do të jetë siguria dhe mbrojtja e gjyqtarëve, të cilët aktualisht janë vulnerabël, çka në instancë të fundit, dëmton edhe vetë dhënien e drejtësisë”.
Imami premtoi gjithashtu dhe hapjen e një zyre ku gazetarët do të gjejnë informacionet e nevojshme të këtij dikasteri. Në lidhje me deklaratën e paraardhësit të tij Panda, se u hoq pasi nuk dënoi Berishën, Imami tha, se pas një komunikimi me të sot, vetë Panda e mohoi një deklaratë të tillë dhe se ai vetë nuk ishte emëruar për një gjë të tillë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj