Ministri Ilir Gjoni takim me kryepolicët e huaj (20 Mars 2001)
Kryepolicë nga Gjermania, Italia dhe Greqia kanë premtuar në Tiranë më shumë forcë në luftën anti-trafik. Vetëm pak ditë pas takimit në rang ministrash në Tiranë, ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni është takuar me specialistë dhe drejtues të lartë të policive, gjermanë e grekë. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i mëtejshëm i operacioneve të përbashkëta të policisë shqiptare me kolegët europianë, ishte pika kryesore e debatit mes Gjonit dhe kryepolicëve të huaj. Kohët e fundit kam konstatuar, tha ministri Gjoni se lufta e trafikut në tokë dhe në det është intensifikuar ndjeshëm ku nuk kanë munguar dhe rezultatet.
Ngritja e qendrës antitrafik në Vlorë u shpreh Gjoni do të rrisë edhe më luftën tonë të përbashkët ndaj këtij fenomeni ndërkombëtar. Ndërkohë që dje, përfaqësuesit e drejtorive të policisë së vendeve fqinje të prirë nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare Brahimaj, janë takuar në Vlorë, në qytetin ku ndihet më shumë dhe lufta ndaj krimit. Sipas kryepolicëve shqiptarë, lufta anti-trafik në Shqipëri ka pasur rezultate pozitive ku janë kapur rreth 13 mijë klandestinë dhe 599 skafe gomone./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj