Ministri Ilir Gjoni takim në Policinë Vlorë (12 Nëntor 2000)
Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni ka zhvilluar një takim pune në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Qëllimi i këtij takimi ka qenë njohja nga afër me situatën e rendit në përgjithësi dhe veçanërisht me ecurinë e aksionit anti trafik. Në raportimin e shefave të komisariateve u evidentësua puna e bërë për goditjen e linjave të trafikut dhe mjeteve për të cilat veprojnë trafikantët.
Në qytetin e Vlorës gjatë kësaj jave janë kontrolluar mbi 100 banesa, hotele, motele dhe pika të tjera ku ka patur informacione për strehimin e klandestinëve. Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni ka thënë se tashmë është mbyllur periudha e identifikimit të trafikantëve. Nga operacionet duhet të ketë vetëm rezultate konkrete.
Këto rezultate për ministrin Gjoni do të jetë dhe baza për vlerësimin e punës së çdo punonjësi apo strukture të Ministrisë së Rendit. Vlora nuk duhet të mbetet peng i një grupi skafistësh, ka theksuar ministri Gjoni duke shtuar se Vlora nuk do të bëjë më pjesë në trafiqet e Shqipërisë apo të Ballkanit. Më pas ministri Gjoni ka zhvilluar një takim të shkurtër me pjesëtarë të misionit italian interforcë që po ndihmojnë policinë shqiptare në operacionin anti trafik.
Ministri i Rendit ka thënë deri tani se bashkëpunimi me strukturat e policisë është shumë i mirë dhe i ka siguruar oficerët italianë për mbështetjen e tij të plotë./tvklan.al