Ministri Lleshaj: Shqipëria nuk përjeton situatë të rëndë krimi
“Fenomeni i kanabisit është zhdukur, ka vetëm tentativa të izoluara për kultivim”
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se Shqipëria ka njohur rritje të sigurisë në vend, duke e konsideruar këtë periudhë si më të pozitiven ndër vite.
Gjatë interpelancës në Parlament me deputetin e opozitës Lefter Maliqi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se treguesit negativ në vend janë në rënie.
“Shqipëria nuk përjeton më një situatë të rëndë të krimit. Ajo ka sot situatën më të mirë të rendit në historinë e saj. Shqipëria numëron 1.7 vrasje për çdo 100 mijë banorë, ndërkohë që BE në mesataren e saj ka 1.2. Të gjithë treguesit negativ të sigurisë në vend janë në rënie. Niveli i goditjes dhe zbulueshmërisë është rritur në mënyrë të ndjeshme. Niveli i sigurisë në vend është më i miri që kemi patur në këto dekada ndonëse ende larg pritshmërive të qytetarëve dhe ambicieve tona. Janë shtuar kapacitetet në luftën kundër krimit dhe kemi arritur në këto rezultate inkurajuese. Shqipëria nuk ka ndonjë njollë, as Tirana nuk ka ndonjë njollë të rrezikshme ku nuk rekomandohet kalimi”, u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Ministri Lleshaj ka folur edhe për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, duke thënë se ky fenomen sot nuk ekziston më. Sipas tij, ka vetëm tentativa për të kultivuar bimë narkotike në sipërfaqe të vogla dhe në zona të thella malore.
“Ka patur lodhje të mëdha sivjet në Shqipëri për të shkrepur ndonjë fotografi apo ndonjë video në malet apo fushat e Shqipërisë. Janë harxhuar edhe para, përpjekje, më kot. Mezi janë arritur të shkrepen disa foto për disa bimë. Tashmë kanë filluar që të paraqesin në media foto dhe video të marra nga policia në kuadër të operacioneve policore. Por cila është e vërteta për kanabisin në Shqipëri sot? Viti 2020 shënoi një tjetër vit të përshkallëzimit të suksesshëm të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vendin tonë. Fenomeni i kanabisit në Shqipëri ka marrë goditje shkatërrimtare. Tashmë nuk mund të flitet për fenomen, por për tentantiva të izoluara për kultivim apo trafikim. Operacionet e gjera të monitorimit të zhvilluara në bashkëpunim me Guardia di Finanzia kanë treguar se tentativat për kultivim janë përqëndruar në zona të thella dhe në sipërfaqe të vogla. Së dyti, me gjithë volumin e madh të monitorimit, sasitë e kapura dhe të asgjësuara janë në nivelet më të ulëta historike. Së treti, sasi e kanabisit e kapur në Itali dhe në Greqi kanë mbërritur në nivelet më të ulëta historike. 1.4 ton janë kapur në brigjet italiane në vitin 2019. Ndërkohë që në vitin 2020 janë kapur 900 kg. Vendi është çkanabizuar dhe kanabisi është shkatërruar”, deklaroi ministri Sandër Lleshaj. /tvklan.al