Ministri Nako dhe Zela, inspektim në ndërtimin e rrugëve të vendit (7 Korrik 2000)


Ministri Nako dhe Zela, inspektim në ndërtimin e rrugëve të vendit (7 Korrik 2000)

12:30 07/07/2000

Kryeministri Meta ka ngarkuar Ministrin e Transportit Sokol Nako dhe Ministrin e Punëve Publike Ilir Zela, për të kontrolluar ecurinë e ndërtimit të rrugëve në të gjithë vendin. Dy ministrat e kabinetit Meta e kanë nisur kontrollin në akset rrugore të veriut. Ata kanë parë nga afër cilësinë e punimeve në rrugën Fushëkrujë-Mamurras, Mamurras-Milot, Milot-Lezhë si dhe riparimet në zonën e Torovicës dhe në rrugën e Velipojës.

Grupi i inspektimit ka ndaluar veçanërisht në rrugën e re të veriut ku po ndërtohen dhe riparohen rreth 12 ura dhe mbikalime. Ministri Nako ka ndaluar dhe ka biseduar dhe me fshatarët që pengojnë zhvillimin e punimeve për shkak të shpronësimeve. Ai u ka premtuar atyre se qeveria do të bëje shpronësimin e plotë duke kërkuar të mos pengojnë punimet.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, firma “Triss” që ka marrë përsipër ndërtimin e kësaj rruge sëbashku me urat, është ende brenda afateve.

“Janë punuar me ritme të larta, natyrisht dhe me impenjim dhe me preokupacion nga shoqëria, por që me zotimin që kemi marrë që iu bë prezente dhe ministrave, shoqëria brenda muajit gusht do të përfundojë punimet e saj.”

Grupi i kontrollit i drejtuar nga Kryeministri Meta do të inspektojë në të gjitha akset ku po ndërtohen dhe po riparohen rrugët./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme