Ministri Poçi në Parlament ( 18 Tetor 1999)


Ministri Poçi në Parlament ( 18 Tetor 1999)

15:03 18/10/1999

Ministri i Rendit Spartak Poci ka zbritur sot pasdite në Parlament duke bërë tablone e arritjeve në luftën antikrim në qytetin e Durrësit në përgjigje të interpelancës të kërkuar nga deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri. Poçi theksoi se në këto 6 muaj në rrethin e Durrësit janë kryer 212 vepra penale vrasje, plagosje dhe rrëmbim personash, pra 35 vepra penale në muaj. Ndëkohë në dy muajt e fundit ka patur 39 vepra penale.

Është rritur zbulueshmëria e krimeve në krahasim me një vit më parë nga 63% në 92%. Janë zbuluar 9 persona tepër të rrezikshëm dhe disa banda që kyenin veprimtari në Durrës, trafiqe ilegale si armë, drogë dhe prostitutash.

Por të dhënat pozitive të paraqitura nga Ministri i Rendit Poci, nuk e kanë bindur deputetin demokrat Xhaferri i cili ka renditur disa shkaqe pse në Shqipëri nuk ka rend. Sipas Xhaferrit nuk mjafton vetëm vullneti pozitiv i Ministrit Poçi pasi ka mjaft shefa policie që e shohin veten të përkohshëm në detyrë.

Madje duke mos e ndier veten të sigurtë ata marrin rryshfete dhe bashkëpunojnë me kriminelët. Xhaferri kërkoi të verifikohen pasuritë e drejtuesve të policisë të cilët sipas tij vetëm me një rrogë 30 mijë lekë në muaj, kanë shtëpi dhe makina luksoze.

Shkalla e vendosjes së Rendit në Shqipëri është segmentare tha Xhaferri duke sjellë si argument, dërgimin e kryebanditëve në kryeqytet pranë qelive të Elbasanit./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme