Ministri Rama konferencë shtypi (16 Qershor 1999)
Politikat kulturore prihen nga hapat integrues dhe komunikues të ambjentit tonë kulturor tha Ministri Rama duke e quajtur edhe ekspozitën e zotit Fuko pjesë e këtyre politikave. Është një iniciativë e marrë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Radio France Internacional, Ambasada Franceze e të tjerë.
Zoti Fuko tha se kjo vizitë e tij e dytë në vendin tonë i jep një tjetër mundësi shpalosjes së artit. Nëse hera e parë u kurorëzua me një student shqiptar pasuniversitar në Paris, që ka fituar deri tani tre çmime ndërkombëtare shpreson që kjo herë të mund të zbulojë energjinë pozitive që përcjellin veprat e tij.
Bashkëpunimi i frytshëm i Radio Francë Internacional lidhet dhe me popullaritetin që kjo Radio ka fituar në Shqipëri. Siç tha drejtori i përgjithshëm i saj Benua Komie, Shqipëria është e rëndësishme për Radio Francë Internacional jo vetëm për shkak të krizës kosovare por për vetë vendin që zë frankofonia në Shqipëri. Prioritet i kësaj Radioje është informacioni i cili përhapet jo vetëm në valë të shkurtra FM por dhe me satelit e internet.
Zoti Zhuljan Rosh tha se janë antenat në Dajt që bëjnë të mundur dëgjimin e Radio Francë Internacional në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Cërrik dhe Gramsh. Ndërsa dy transmetues të tjerë që do të vihen së shpejti në funksionim do ta bëjnë këtë Radio të dëgjueshme edhe në Shqipërinë Verilindore dhe Veriperëndimore, Kosovë dhe Mal të Zi. Kjo Radio në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ambasadën Franceze kanë sjellë në Shqipëri artistin Anri Kuke./tvklan.al