Ministri Xhafaj takohet me Prokurorin e Antimafias: Goditje krimit dhe lidhjeve korruptive
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim me Prokurorin italian të Antimafias, Federico Cafiero De Raho. Në një postim në rrjetet sociale, Xhafaj thotë se me Prokurorin e Antimafias diskutuan për bashkëpunimin mes palëve për të goditur krimin e organizuar dhe lidhjet korruptive.
“Sapo përfundova një takim shumë të dobishëm me mikun tim Prokurorin Kombëtar italian Antimafia dhe Antiterrorizëm, Federico Cafiero De Raho dhe bashkëpunëtorët e tij, që nga dje në Tiranë. Një diskutim shumë profesional dhe i frytshëm me një nga prokurorët më të njohur italian, me përvojë të shkëlqyer në luftë kundër krimit të organizuar.
Me Prokurorin De Raho diskutuam çështje konkrete me shumë interes lidhur me bashkëpunimin dy palësh në luftë kundër krimit të organizuar transnacional, të sofistikuar e te fortë ekonomikisht, për goditjen e lidhjeve të tij korruptive dhe aseteve kriminale. Shkëmbim informacioni më të shpejtë, analiza dhe hetime të përbashkëta me skuadra mobile si dhe trajnime me Policinë shqiptare”,
shkruan ministri Xhafaj.
Pas takimit me Xhafajn, Prokurori italian i Antimafias u takua edhe me Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme Arta Marku.
/tvklan.al