Ministri Xhuveli ndalon importin e mishit nga vendet e prekura nga lopa e çmendur – (16 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në bazë të një urdhri të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Lufter Xhuveli, duke filluar nga data 5 Janar ndalohet importi i kafshëve të gjalla, nga të gjitha vendet e prekura nga sëmundja e lopës së çmendur.
Lufter Xhuveli, Ministri i Bujqësisë:- “Natyrisht që të ketë kujdes dhe të krijohet një shqetësim i ligjshëm për këtë është e pritshme, ashtu siç është e padëshirueshme, që të përhapet një panik dhe të dezinformohet opinioni publik, qoftë edhe nga presioni mediatik që mund të ushtrohet mbi konsumatorin shqiptar”.
Në vendin tonë konsumohen rreth 100 mijë ton mish në vit, nga të cilat vetëm 800 ton importohen nga jashtë. Gjithashtu për të parandaluar hyrjen e kësaj sëmundje tek ne, po sipas urdhrit të ministrit të Bujqësisë është ndaluar importi i miellit të mishit dhe të kockave, që vijnë nga vendet e prekura nga lopa e çmendur.
Ndërkohë Instituti i Kërkimeve Veterinare, si dhe 12 laboratorët rajonal, do të kryhen analiza të hollësishme për çdo lloj mishi që hyn në territorin shqiptar./tvklan.al