Ministria e Arsimit jep fonde për restaurimin e Liceut Artistik – (16 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
30 milion lekë të reja, janë dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për restaurimin e Liceut Artistik. Këtë e ka konfirmuar vetë Ministri i Arsimit Et’hem Ruka. Në prani të mësuesve të Liceut dhe drejtoreshës së drejtorisë arsimore, Ruka është shprehur, se qeveria Meta është e angazhuar, që shkollave ku përgatiten talentet e reja t’u kushtohet një rëndësi e veçantë.
Kështu investimet e reja do të përfshijnë edhe shkollën e Baletit, si dhe një pjesë të bazës materiale të Liceut. Përveç rehabilitimit të klasave, shkollës mendohet t’i jepet një pamje tjetër. Për këtë Ministria e Arsimit, ka sponsorizuar daljen e një kompakt disku, ku do të jenë të regjistruara pjesët më të mira të nxënësve. Më pas grupet artistike të Liceut, kanë përshëndetur të pranishmit me një koncert./tvklan.al