Ministria e Arsimit ndalon dypunësimin në arsim – (26 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kjo është shtresa e intelektualëve, që nga të ardhurat financiare, renditet tek të varfrit. Paga e një mësuesi shkon nga 8 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë të reja, të ardhura këto që nuk dalin për një jetësë të mirë. Në kushte të tilla mësuesit detyrohen të punësohen edhe diku tjetër për të mbajtur familjen. Këtë gjë Ministria e Arsimit e ndalon. Inspektori i arsimit jo publik pranë Ministrisë së Arsimit Tonin Pavaci thotë:
Tonin Pavaci:- “Kjo ministri, nëpërmjet inspektoratit të saj, të mbaj lidhje dhe të ushtrojë kontrolle të detyrueshme, për problemet e punësimit pranë këtyre institucioneve. Në qoftë se Ministria e Arsimit shkon kontrollon dhe krahas detyrimeve të saj që ka, gjen edhe shkelje të kësaj natyre, ne menjëherë njoftojmë organet kompetente, për të marrë masa”.
Ndërsa vetë mësuesit thonë se pa një punë të dytë ose një rrogë më të mirë, jeta është shumë e vështirë. Por sipas Ministrisë së Arsimit dypunësimi nuk lejohet për shkak se dëmton në mësimdhënie, duke ulur cilësinë e shërbimit nga vetë mësuesit. Për këtë arsye është duke u përpunuar projektligji që do të ndalojë dypunësimin në arsim./tvklan.al