Ministria e Financave me uniforma të reja (31 Gusht 1999)


Ministria e Financave me uniforma të reja (31 Gusht 1999)

14:37 31/08/1999

Ministria e Financave projekton ndryshimet rrënjësore në Policinë Tatimore ndërkohë që po punon për hapjen e pikës së re doganore të Qafë Botës në Konispol në rrethin e Sarandës. Dikasteri i financave ka bërë gati platformën e re të organizimit të Policisë Tatimore si një nga elementët më të rëndësishëm të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve. Për një kontroll efikas të subjekteve, për detyrimet ndaj shtetit janë krijuar 14 rajone policie tatimore.

Kjo strukturë e re pret të rregullohet me ligj për të cilën është hartuar drafti në të cilën janë përcaktuar qartë detyrat dhe të drejtat e tatimorëve dhe mbështetja me ligj e organeve të tjera. Veç kësaj janë përcaktuar qartë raportet ndërmjet oficerëve dhe nënoficerëve tatimorë. Për të bërë sa më efikas këtë strukturë të re Ministria jonë e Financave në bashkëpunim me Guardia di Financa po punojnë për ngritjen e sallës operative duke krijuar një sistem të ri modern ndërlidhje.

Rëndësi po i kushtohet dhe pamjes së jashtme të policëve tatimore. Për këtë do të ndryshohen shenjat dalluese dhe në apele do të vendosen emblema në uniformë dhe ështe bërë gati uniforma e re e doganierëve me pantallona të zeza, këmisha të bardha dhe kollare. Brenda muajit Shtator të gjithë doganierët e zonave Sarandë, Gjirokastër dhe Vlorë do të jenë pajisur me uniforma të reja. Me këtë uniformë do të fillojnë punë dhe punonjësit e pikës më të re doganore asaj të Qafë Botës. Ministri Angjeli ka urdhëruar se pika e Qafë Botës duhet të hapet nga pala jonë deri me 15 Shtator./tvklan.al






Të ngjashme