Ministria e Kulturës dhe rikontruktimi i Piramidës (18 Nëntor 1999)
Një projekt madheshtor në disa faza do t’i ndryshojë pamjen sheshit para Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Ministria e Kulturës me një donacion fillestar prej 150 milion lekësh ka nisur punimet për rikonstruksionin e lulishteve e shatërvaneve përreth Piramidës si dhe të ambjenteve të brendshme të saj.
Gazetari: Zoti Rama ju jeni akuzuar shpesh sikur po shkatërroni institucionet kulturore. Ndërkohë çfarë po nënkupton kjo iniciativa juaj e sotme?
Edi Rama: Kjo nënkupton një shkatërrim të radhës, në vazhdën e atyre shkatërrimeve të tjera siç ishte ndërtimi i kinemasë ose më saktë shkatërrimi i kinemasë “Republika” ose siç është ndërtimi ose më saktë shkatërrimi i një holli në Teatrin Kombëtar e të tjerë, për të krijuar një sallë të dytë teatri. Këtu është fjala për një projekt të inicuar nga ne me ndihmën e disa organizatave ndërkombëtare për të frenuar degradimin total të këtij monumenti i cili nuk bëhet më dhe që është një pasuri e qytetarëve shqiptarë. Deri tani Piramida ka qënë dhe vazhdon të jetë dhe në këto momente që po flasim kullojsja më e madhe e kryeqytetit ku çfarë kullon në qiell futet brenda. Me anë të këtij projekti ne do të rehabilitojmë sheshin para Piramidës duke bërë restaurimin e të gjithë gurëve të thyer dhe pjesëve të dëmtuara të kanaleve kulluese dhe njëkohësisht do të bëjmë të mundur që të paktën procesi i degradimit të ndalojë duke bërë një rehabilitim të të gjithë lëkurës le të themi të monumentit. Kjo është faza e parë e cila mbyllet me 24 Dhjetor dhe në këtë mënyrë bashkë me lulishten rreth e përqark siç e shikoni ku po punohet do të parapërgatis dhe inagurimin e monumentit të Këmbanës së Paqes e cila mori bekimin e Atit të Shenjtë në Romë dhe vjen në Shqipëri për t’u inaguruar natën e fundit të shekullit nga Presidenti Mejdani që qysh në fillim e ka mbështetur fuqimisht iniciativën e disa fëmijëve të udhëhequr nga një misionar katolik në qytetin e Lezhës, në fshatrat e Lezhës./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame