15:57 02/04/2014Botuesit shqiptarë janë ndarë në dy kampe, pas vendimit të Ministrisë së Kulturës për të financuar Festivalin e Librit, një aktivitet kulturor që mbahet për herë të parë dhe për t’I hequr mbështetjen financiare pas 7 vitesh panairit të përvitshëm të librit, që këtë vit shënon edicionin e 17.Drejtuesit e Panairit të Librit shprehen se festivali i ri synon të dëmtojë panairin tradicional. Këtij qëllimi, sipas tyre, i shërben edhe vendimi i Ministrisë së Kulturës. Por, gjithësesi ata shprehin besimin se ky projekt nuk do ta arrijë synimin e tij.Të dyja subjektet, Shoqëria e Librit Shqip dhe Shoqata e botuesve në projektin e tyre kërkuan të njëjtën mbështetje financiare, prej 2 milionë lekësh. Ministria përzgjodhi projektin e Shoqërisë së Librit dhe skualifikoi atë të Panairit me argumentin se nuk përmbushte kriteret.Përçarja e botuesve ka nisur tashmë. Rëndësia që Ministria e Kulturës i ka dhënë Festivalit të Librit nuk duket vetëm tek mbështetja financiare, por edhe tek vënia në dispozicion e ambjenteve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Kombëtar.