Ministria e Mbrojtjes analiza gjashtë mujore – (5 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Forcat e armatosura shqiptare janë vënë në gjendje gatishmërie për të përballuar një luftë të mundshme në kufijtë verior me Malin e Zi. Në analizën gjashtë mujore të Ministrisë së Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Aleks Andoni tha, se krahas gatishmërisë luftarake në divizionin e këmbësorisë së Shkodrës, janë vënë në gatishmëri shtabet në Vaun e Dejës, brigada e artilerisë në Renz, brigada e tankeve në Meglysh, etj. Në Shkodër ushtria ka rezerva ushqimore për dy muaj.
Aleks Andoni:- “Situata në drejtimet veriore kërkon nivel të lartë gatishmërie në të gjitha forcat e armatosura. Ndjekje të vazhdueshme të gjendjes, komunikim të pandërprerë, njohje të gjendjes edhe nga organet e pushtetit lokal për resurset rezerviste. Forcimit të masave të ruajtjes dhe parandalimit të ngjarjeve të jashtëzakonshme në shërbim, duhet t’u jepet rëndësi specifike nga komandantët e shtabeve të të gjitha niveleve”.
Ministri i Mbrojtjes Ilir Gjoni u kërkoi oficerëve të mësojnë gjuhën angleze brenda viti 2002. Ai kritikoi shtabin e përgjithshëm për mosrealizimin e disa objektivave në kuadër të partneritetit me NATO-n. Gjoni tha se s’do të lejojë abuzimin e furnizimit me karburant nga firmat private, të forcave ajrore me çmime më të larta.
Komandanti i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Presidenti Mejdani, kërkoi ristrukturimin e plotë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, brenda viti 2000. Në përgjigje të akuzave të opozitës Presidenti Mejdani tha:
Presidenti Rexhep Mejdani:- “Ndryshe nga e kaluara, koncepti i sovranitetit ka marrë një përmasë të re, nuk është më ai koncept i vjetruar është koncepti i sovranitetit nëpërmjet integrimit. Ndërkohë që vetë ky proces integrimi fuqizon sovranitetin e hapësirës shqiptare. Duke u integruar në Këshillin e Europës, duke u integruar në OBT, do të themi që bëhet kjo zhvendosje pozitive e fuqizimit të sovranitetit”.
Pas kësaj analize në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm, priten të tjera ndryshime të kuadrove drejtuese./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame