Ministria e Rendit bashkëpunim me organizatat joqeveritare në luftën kundër trafikimit (3 Maj 2001)
Ministria e Rendit Publik angazhohet për një bashkëpunim më të fortë me organizatat joqeveritare në vend për luftën kundër trafikut njerëzor. Ka qenë një projekt i shoqatës së grave që ka bindur ministrin e Rendit Ilir Gjoni të vërë në dispozicion të tij strukturat e policisë. Sektori i luftës kundër trafiqeve të qënieve njerëzore në Ministrinë e Rendit dhe të vetëkalimeve kufitare do të angazhohen në realizimin e projektit.
Parandalim, ndërhyrje, sensibilizim, fushatë dhe integrim të vajzave të trafikuara shqiptare. Është hera e parë që Ministria e Rendit Publik bashkëpunon me ide të tilla duke i shkuar më thellë misionit të saj përballë fenomenit trafik prostitucioni. Tashmë përveç parandalimit dhe goditjes së trafikut të qënieve njerëzore, Ministria e Rendit Publik do të jetë partnere në projektin në fjalë që merr përmasa dhe më humane dhe civile.
Deri më sot me vajzat e trafikuara të kthyera nga policia e vendeve ku ishin shitur, është ndjekur një praktikë shumë e thjeshtë. Ato mbaheshin vetëm 24 orë nëpër komisariate, regjistroheshin dhe më pas liheshin të lira ku pjesa më e madhe “ripeshkoheshin” nga tutorët e tyre. Me projektin në fjalë Ministria e Rendit dhe shoqatat joqeveritare, angazhohen më shumë për ruajtjen dhe integrimin e viktimave të trafikut./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj