Ministria e Rendit i përgjigjet akuzave të Topallit për incidentin në Selenicë – (28 Gusht 2000)


Ministria e Rendit i përgjigjet akuzave të Topallit për incidentin në Selenicë – (28 Gusht 2000)

20:09 28/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Ilir Meta, Ministrin e Rendit Spartak Poçi dhe kryetarin e PS Fatos Nano, si ideatorë të incidentit ndaj nënkryetares Jozefina Topalli në Selënicë. Pas këtij prononcimi, Ministria e Rendit sqaroi, se Topalli së bashku me 30 mjete shoqëruese nga Tirana dhe Vlora, u nis nga Selenica në drejtim të Vlorës. Lëvizja e saj u sigurua nga policia e Selenicës, nën drejtimin e komandantit të saj dhe një furgon i policisë.

Gjatë gjithë kohës së shoqërimit nuk ka pasur asnjë incident. Nga shërbimet e policisë që siguron rrugën është njoftuar salla operative e drejtorisë së policisë së prefekturës, për hyrjen e zonjës Topalli në qytetin e Vlorës. Nga verifikimet e bëra, nuk rezulton të jetë depozituar asnjë kallëzim për incidente të mundshme gjatë lëvizjes së zonjës Topalli nga Selenica në drejtim të Vlorës.

Gjithashtu në komandën e Gardës së Republikës nuk është regjistruar asnjë njoftim për lëvizjen e nënkryetares së kuvendit nga Tirana për Vlorë, aktivitetin e saj në Selenicë apo dhe për kthimin e saj në kryeqytet. Këto veprime bien ndesh me përmbushjen e detyrës funksionale të shoqëruesit të nënkryetares së parlamentit Isa Molla./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti   






Të ngjashme