Ministria e Rendit Publik shpall listën e të kërkuarve – (26 Shtator 2000)


Ministria e Rendit Publik shpall listën e të kërkuarve – (26 Shtator 2000)

16:47 26/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ministria e Rendit Publik, ka shpallur në kërkim 22 të kërkuar prej saj për krime të rënda në kuadër të një liste prej 700 të kërkuarish në të gjithë Shqipërinë. Në listën e fundit, shumicën e përbëjnë emrat e personazheve të njohur nga skedat policore në Lazarat, Laç dhe Tiranë. Kështu 12 nga lista e të kërkuarve të fundit janë nga Lazarati, mes të cilëve ndodhet edhe fotografia me të dhënat e Adil Alikos, i konsideruar nga policia si njëri prej kapove të ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në fshatin rebel të Gjirokastrës.

Sipas policisë të kërkuarit dyshohet se kanë gisht edhe në ngjarjet e kësaj fushate, siç ishte incidenti me zëvendës kryeministren Makbule Çeço dhe para dy ditësh kur u hodh në erë shtëpia e një simpatizanti socialist, që e kishte shoqëruar atë në fshat. Në listë me emrat e personave të kërkuar nga Laçi bëjnë pjesë të kërkuarit për çështjen e marrjes pengë të komisarit të policisë së qytetit.

Veç rretheve në listën e fundit janë shpërndarë të dhëna dhe për të kërkuarin nga Tirana Sali Lusha. Ky i fundit është akuzuar për ngjarjet e 14 Shtatorit 1998, në ditën e varrimit të liderit të Dhjetorit ’90 Azem Hajdari. Burimet e Ministrisë së Rendit thanë se shpallja e listës së fundit me emrat e të kërkuarve, lidhet edhe me masat e shpallura nga Spartak Poçi, për ruajtjen e qetësisë dhe rendit, për zgjedhjet lokale të 1 Tetorit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme