Ministrja: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri
“Rreziku për popullatën tonë mbetet i ulët”
Situata me koronavirusin ka bërë që edhe Shqipëria të jetë në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të konstatohet në vendin tonë. Gjatë një interpelance në Kuvend këtë të hënë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se institucioni që ajo punon është duke bashkëpunuar me strukturat përgjegjëse kombëtare dhe ndërkombëtare, për të ndjekur zhvillimet në lidhje me situatën.
Megjithatë edhe pse virusi ka shkaktuar mbi 300 viktima dhe mbi 17000 të prekur, Manastirliu deklaroi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me këtë sëmundje. Ajo theksoi se rreziku që popullata jonë të infektohet me koronavirus është i ulët.
“Në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur nga ky virus. Rreziku për çdo individ varet nga ekspozimi dhe për popullatën tonë risku imediat për shëndetin nga koronavirusi i ri mbetet i ulët”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë në Kinë për riatdhesimin e tyre. I tillë është rasti edhe i studentes shqiptare Silva Doçi, e cila është duke qëndruar në Ankara pas tërheqjes nga autoritetet turke.
“Për qytetarët shqiptarët në Kinë ka pasur komunikim të vazhdueshëm për riatdhesimin e tyre, transportin e tyre dhe janë marrë masa duke u ndjekur nga strukturat tona. Studentja shqiptare që është transportuar dhe aktualisht është në Ankara është ndjekur ngushtë nga të dy ministritë përgjegjëse, Ministria për Punët e Jashtme dhe Ministria e Shëndetësisë për të ndjekur të gjithë procedurat standarde për këto raste”, tha ministrja. /tvklan.al