Ministrja Manastirliu konfirmon rritjen e numrit të personave të infektuar gjatë 24 orëve
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar në Parlament se në vend janë 518 persona të infektuar, duke konfirmuar kështu se gjatë 24 orëve të fundit rezultojnë 24 persona të infektuar me koronavirusin COVID-19.
“Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19 ose 10.7% e rasteve të testuara pozitive në më shumë se 4800 testime të kryera. Një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Një ditë më parë, u konfirmuan 19 persona të infektuar. Ndërkohë që sot vihet re rritje e këtij numri, në 24 raste të reja, duke e çuar në total numrin e personave të infektuar në vendin tonë në 518.
Shifrat u deklaruan nga Manastirliu në Parlament, ndërkohë që ende nuk ka deklaratë nga zyrtarë të shëndetësisë për të treguar zonat ku është zgjeruar harta me infektimet e reja. /tvklan.al