Miqtë e Shqipërisë në KQZ për procesin zgjedhor – (30 Gusht 2000)


Miqtë e Shqipërisë në KQZ për procesin zgjedhor – (30 Gusht 2000)

14:21 30/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë dje përball Miqve të Shqipërisë. Ambasadorët e disa shteteve, krerë të OSBE-së, ODHIR-it, Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian, janë interesuar për ecurinë e procesit zgjedhor deri në këto momente. Kryetari i KQZ Fotaq Nano, ka bërë një përmbledhje të punës së këtij komisioni, që nga krijimi e deri tek shpërndarja e listave të votuesve, veprimi më i fundit i tij.

Fotaq Nano ka renditur të gjitha ato çka janë arritur nga ky komision, por ka pranuar dhe gabimet, si dhe ka nënvizuar mangësitë. Kur vrapon edhe rrëzohesh, tha ai, duke deklaruar se KQZ nxitoi në zgjedhjen e sekretarit duke shkelur procedurat. Sipas kreut të KQZ, vështirësi është hasur edhe për shkak të mos caktimit në kodin elektoral të një afati për paraqitjen e listave të anëtarëve të komisioneve vendore.

Ne, përfundoi Fotaq Nano, jemi të hapur për të monitoruar në të gjithë procesin tonë. Miqtë e Shqipërisë u shprehën se një proces zgjedhor normal i pakontestueshëm do të jetë shumë pozitiv për integrimin e Shqipërisë. Ata siguruan se gjithë ky proces do të monitorohet në çdo hap, si dhe premtuan se do të ndihmojnë më tej për infrastrukturën zgjedhore./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme