Miqtë e Shqipërisë të zhgënjyer nga politika në vend (2 Mars 2001)
Miqtë e Shqipërisë të mbledhur dje në Bruksel i kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në jetën institucionale të vendit. Në deklaratën përfundimtare, miqtë kanë shprehur zhgënjimin që politika vazhdon të mbetet e polarizuar dhe që personalitetet dhe jo politika vazhdojnë të mbizotërojnë në debatin politik.
Gjithsesi ata vlerësuan disa shenja pozitive të kohëve të fundit. Miqtë e Shqipërisë shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me vonesat në përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare, duke u bërë thirrje insititucioneve shqiptare të të gjitha niveleve të intesifikojnë përpjekjet për të patur një proces zgjedhor të përmirësuar. Por, ata mirëpritën ndarjen e re të zonave si dhe shprehën shpresën se KQZ nën drejtimin e kryesisë së re do të jetë në gjendje të përgatisë zgjedhje të ardhshme në mënyrën e duhur.
Miqtë kanë përshëndetur përpjekjet e ndërmarra në përforcimin e Rendit, fillimin e luftës kundër krimit të organizuar, procesin e luftës së legalizimit, zhvillimin në fushën e infrastrukturës, doganave e të tjerë. Ndërkohë ata nënvizuan nevojën e ngutshme për të përmirësuar bashkëpunimin midis policisë, prokurorëve dhe gjyqësorit si dhe i bënë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjykatave të ndërmarrin veprime më të vendosura për të luftuar korrupsionin./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego