Mirel Josa prezantohet te Tirana
Mirel Josa do të drejtojë për herë të tretë Tiranën pas përvojave të mëparshme në sezonet 2003-2004 dhe 2006-2007.
Si një ish-futbollist i bardhebluve mund të quhet një rikthim në shtëpi. Ai do të zëvendësojë Ilir Dajën i larguar nga ky post të martën. Presidenti i klubit kryeqytetas, Refik Halili sqaron arsyen e këtij vendimi.
Refik Halili, president i KF Tirana:
Nuk ishte vendim i lehtë për mua, pasi sakrifikova një njeri profesionist. Unë kam biseduar me Ilir Dajën që ai të jetë akoma pranë klubit të Tiranës. Janë vetëm rezultatet që të më shtrënguan të marr një vendim të tillë.
Refik Halili pranoi se synon ta mbajë në strukturat e klubit Ilir Dajën, ndërsa objektivi minimal është pjesëmarrja në kupat e Europës. Mirel Josa pranon se rezultatet nuk kanë munguar te Tirana dhe se vetëm duhet motivuar grupi.
Mirel Josa, trajneri KF Tirana:
Të jesh trajner i Tiranës është një përgjegjësi e madhe. Jam i shqetësuar edhe për situatën që është. Unë jam një tip bashkëpunues me të gjithë. Do të arrijmë objektivat që ka klubi. Duhet të kemi një reagim të vijueshëm, pasi ekipi ka patur rezultate.
Debutimi i Mirel Josës ndaj Teutës në shtëpi, rival me të cilin barazoi pa gola në fazën e parë. /TV KLAN