Misteret që rrethojnë rrëmbimin e “Çelepia 2”
Dëshmia e marinarit Luan Mema, i gjetur në bordin e anijes “Çelepia 2”, nuk ka ndihmuar hetuesit egjiptianë për të gjetur kapitenin e saj, Dhimitër Malja.
Fati i tij, prej 12 ditësh nuk dihet.
Mema mësohet të ketë thënë se është helmuar nga pengmarrësi Adel Salam në 18 Qershor dhe kur është zgjuar nuk e ka parë kapitenin e tij.
Malja mund të këtë lënë bordin e peshkarexhës në datën 20 Qershor, por nuk sqarohet mënyra se si ka ndodhur. Këto deklarata nuk janë të besueshme për autoritetet egjiptiane, të cilat janë në pritje të dosjes nga Shqipëria.
Njëra pistë që kanë hetuesit është që mund të ketë patur një sherr mes tij dhe Salam dhe ky i fundit mund ta ketë hedhur në det.
Një pistë tjetër hetimi është që Malja të jetë arratisur nga peshkarexha.
Deklaratat e Salam dhe marinarit Luan Mema nuk janë të besueshme për autoritet egjiptiane, pasi janë mjaft kontradiktore, duke shtuar misterin e vendndodhjes së kapitenit Dhimitër Malja.
Egjiptianët janë në pritje të dosjes hetimore nga Shqipëria, ku kërkohet ekstradimi i Adel Salam për akuzën e gjobëvënies.
Një tjetër fakt që shton misterin në këtë çështje për prokurorët shqiptarë është se pronari i peshkarexhës punon me përqindje me punonjësit e tij. 40% të totalit të peshkut që gjuhej, i takonte ekuipazhit të “Çelepia 2”, ndërsa 60% pronarit.
Nuk dihet përse Adel Salam ka kërkuar 70 mijë euro për anijen, kur ai kishte rënë dakord për ndarjen e fitimit.
Tv Klan