Mitsotakis: Pandemia po largohet, por një fije ndan fitoren nga shkatërrimi


Mitsotakis: Pandemia po largohet, por një fije ndan fitoren nga shkatërrimi

13:56 14/04/2020

Kyriakos Mitsotakis u rreshtua mbrëmë krahas një pjese të liderëve botërorë që konsiderojnë koronavirusin luftë e cila nuk është fituar ende. Mitsotakis lavdëroi grekët për respektimin e masave kufizuese në pesë javët e fundit ndërsa i paralajmëroi që të mos bien pre e vetëkënaqësisë.

“Grekët kanë duruar sakrifica personale me një ndjenjë të lartë të përgjegjësisë ndaj meritojnë një falenderim të madh për sjelljen e disiplinuar. Me këtë qëndrim të përgjegjshëm, kemi zbutur valën e parë të koronavirusit. Me këto masa shtrënguese ne fituan kohën e çmuar për të organizuar më mirë sistemin kombëtar të kujdesit shëndetësor. Kthimi në jetën normale do të jetë gradual, në faza dhe vetëm kur të mbështetet nga të dhëna shkencore”.

Mitsotakis u zotua të shtojë qindra shtretër të rinj në njësitë e kujdesit intensiv dhe të përgatisë vendin për dimrin e ardhshëm kur virusi “ka shumë të ngjarë” të kthehet. Ndërkaq, sot Parlamenti grek akordoi 8 milionë Euro për instalimin e menjëhershëm të 50 shtretërve të kujdesit intensiv shtesë në spitalin Sotiria të Athinës ku trajtohen rastet me të rënda me koronavirus.

Duke mohuar arritjet e qeverive parardhëse në shëndetësi, Mitsotakis deklaroi se në pesë javë është arritur ajo që nuk është bërë në dekada. Kryeministri grek paralajmëroi se recesioni në vitin 2020 do të jetë “i madh”, por se rimëkëmbja në vitin 2021 mund të jetë “edhe më e madhe”. Në planin ekonomik 155,000 të papunë do të marrin një pagë lufte prej 400 Eurosh. Mitsotakis u bëri thirrje besimtarëve qe të kalojnë Pashkën larg kishave dhe takimeve masive.

“Besimi ynë nuk është në rrezik, por shëndeti i besimtarëve. Kjo javë e shenjtë duhet të dëshmojë epërsinë e jetës mbi vdekjen. Le të qëndrojmë në shtëpi për t’u takuar përsëri të shëndetshëm dhe të fortë kur stuhia të ketë mbaruar. Një fije e ndan fitoren nga shkatërrimi. Nëse nuk ndjekim këshillat e ekspertëve mund të shkatërrojmë gjithçka që kemi arritur. Pandemia është duke u larguar, por ka shumë të ngjarë që nëse kthehet të na gjejë të përgatitur për një luftë tjetër”.

Pashkët ortodokse greke do të festohen ndryshe pasi qeveria vendosi ndalim-qarkullimin e makinave nga e shtuna në orën 20:00 deri të Dielën e Pashkëve. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në tokën helene shkon në 100 persona ndërsa numërohen 2.145 persona të infektuar me COVID-19.

Klan Plus






Të ngjashme