Mjekët heronj në spitalin e Gjirokastrës – (5 Dhjetor 2000)


Mjekët heronj në spitalin e Gjirokastrës – (5 Dhjetor 2000)

10:41 05/12/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Këto janë momentet kur mjekët e spitalit të Gjirokastrës po kthejnë në jetë një foshnje. Zemra e foshnjes nuk punon më. Gjithçka ndodh para syve të nënës së dëshpëruar, që sheh se si po humb përgjithmonë foshnjen e saj. Mjeku Llambi Dilo, bashkë me kolegët e tij Violeta Bashkimi, Zamira Vllahu dhe Liliana Sala, arritën të kthejnë fëmijën në jetë.

Këtë ditë ky është rasti i dytë i këtij lloji. Brenda pak minutash ky ekip mjekësh shkëputi nga thonjtë e vdekjes një vogëlush pesë muajsh dhe tjetrin tre vjeç. Për shpëtimin e jetëve mjekët janë shpërblyer me nga një kafe, kaq kushton urgjenca. Kur mjeku thirret nga shtëpia paguhet me 40 lekë të reja. Shefi i Pediatrisë Llambi Dilo thotë:

Llambi Dilo:- “Gjatë këtyre viteve të fundit, në sajë të cilësisë së shërbimit dhe në saj të cilësisë së mjekimit dhe medikamenteve, ne kemi arritur që pesë vitet e fundit të kemi një vdekshmëri 0.6 për mijë, nga 24 për mijë që është në rrang republike këtë vit. Gjithashtu mund të them se tre vitet e fundit vdekshmëria 0-1 vjeç është zero, po kështu zero është edhe vdekshmëria 0-14 vjeç, që është një nga rezultatet më të arrira në rang republike”.

Vetëm gjatë këtij viti në këtë pavion, janë shtruar rreth 1400 fëmijë dhe shumë herë mjekët janë ngritur nga gjumi për të shpëtuar jetë njerëzish./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora






Të ngjashme