100 të shtruar në Shërbimin Infektiv
Ramosaço: Shumica e të sëmurëve 40-60 vjeç
Rastet e të infektuarve me koronavirus që kanë nevojë për shtrim në spital po vijnë në rritje.
Vetëm në shërbimin infektiv po marrin trajtim rreth 100 pacientë shumica e të cilëve të konfirmuar Covid pozitiv. Mjekët japin alarmin se shumica tyre i përkasin moshës aktive.
“Jemi në një situatë ku po shohim agravim të kësaj sëmundje dhe në moshat relativisht të reja, pra 40-50 vjeçarët por edhe 50-60. Kemi raste me simptoma të rënda që kërkojnë jo vetëm terapi intensive, por kemi patur raste edhe kur ka patur të intubuar mes tyre”, tha Entela Ramasaço, mjeke infeksioniste.
Por pse janë moshat e reja ato që po bëjnë forma të rënda koronavirusit. Mjekët infeksionistë thonë se ata i neglizhojnë masat parandaluese.
“Janë ata persona që nuk besojnë shumë që kjo sëmundje ekziston. Mendojnë që po ta kalojnë nuk rëndohen. Mendojnë që po e kaluan e kalojnë edhe si grip i thjeshtë. Po jua them që nuk është grip i thjeshtë. Nuk ka lidhje fare me gripin. Është një sëmundje që duke qenë se bën një prekje shumë të madhe të mushkërisë vuajtjen e ka shumë të madhe të frymë shkëmbimit, ashtu siç bën komplikacione të tjera të mëdha, të cilat mund të marrin edhe jetë”, tha Ramasaço
Prej disa ditësh ka nisur edhe trajtimi me plazmë. 5 pacientë në shërbimin infektiv po e marrin këtë trajtim dhe mjekët thonë se është efikas.
Tv Klan