Mjeku: Ekspozimi minimal që të infektohesh me koronavirus është 15 minuta
Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, deklaroi këtë të enjte se që dikush të preket nga COVID-19 duhet të ekspozohet për të paktën 15 minuta me personin tjetër që ia përcjell koronavirusin.
Gjithashtu distanca duhet të jetë nën një metër. Prandaj, theksoi, ai autoritetet bëjnë thirrje që të minimizohen kontaktet, lëvizjet dhe njerëzve u kërkohet që të qëndrojnë brenda.
Gjithashtu mjeku i njohur u shpreh se deri më tani nuk është vërtetuar që virusi përhapet nga ajri, por vetëm nga spërklat
“Ky virus nuk është virus që transmetohet përmes ajrit. Ky virus shpërndahet përmes spërklave. Deri tani është dëshmuar kjo që po ju them unë, është virus me peshë molekulare të madhe dhe deri tani nuk është vërtetuar që mund të përhapet përmes ajrit. Do të thotë që nëse mbajmë distancë mbi një metër dhe nuk ekspozohemi gjatë, mos harroni ekspozimi duhet të jetë minimumi 15 minuta që të infektohesh. Nuk është po u përshëndete, kalove dhe u infektove dhe më afër se një metër. Kjo nuk do të thotë që ne të rrimë 14 minuta dhe të ikim. Sa më pak takime, sa më pak lëvizje, sa më shumë brenda”, tha Pipero./tvklan.al