Mjeku popullor Gazmend Malaj nuk lejohet nga Ministria e Shëndetësisë – (25 Janar 2001)


Mjeku popullor Gazmend Malaj nuk lejohet nga Ministria e Shëndetësisë – (25 Janar 2001)

14:55 25/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky është mjeku popullor Gazmend Malaj. Në klinikën e tij ai kuron sëmundjet neurofunksionale. Sipas tij, ai disponon shqisën e gjashtë, bioenergjinë, të cilën e përdor për të shëruar sëmundje të ndryshme, epilepsi dhe streset. Një seancë në këtë klinikë kushton rreth 5 mijë lekë të reja.

Që dje Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se Gazmend Malaj, nuk disponon licencë pranë këtij institucioni, për të ushtruar aktivitetin e tij privat si mjek. Ndërsa vetë ai thotë, se dikur ka pasur një licencë që tani nuk e ka të rinovuar.

Gazmend Malaj:- “Unë njihem nga Ministria e Shëndetësisë, që në vitin 1987, ku bashkë me psikologun që e zbuloi këtë punë, Petraq Simon, morëm kontakt me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ahmetaj Kamberaj. Ai e vendosi që kjo është një punë që shërben në sëmundjet neurofunksionale, na aprovoi që të krijohet mundësi pa asnjë lloj pengese nga shteti përkatës, në kohën e komunizmit. Në vitet 90 unë jam larguar nga Shqipëria, kthehem në Shqipëri në 94 dhe jam licencuar nga Ministri i Shëndetësisë në vitin 1994. Kjo licencë ishte e vlefshme për tre vjet dhe thuhet me profesionin mjek popullor për neurologjinë. Tani unë kam kërkuar ta rinovoj licencën por nuk ma rinovojnë, për arsye se kërkojnë shuma të mëdha”.

Ndërsa problemi i ministrisë në këtë rast është tepër i madh. Në vendin tonë vitet e fundit janë shtuar mjekët popullor, që pretendojnë të kurojnë sëmundjet dhe të gjithë nuk janë të pajisur me licencë. Në këtë rast sipas Ministrit të Shëndetësisë dëmtohen shumë pacientët.

Leonard Solis, Ministri i Shëndetësisë:- “Ne do të vazhdojmë luftën tonë deri në fund, për të mbyllur të gjitha ato klinika, të cilat mundohen të spekulojnë me mjekimin, të bëjnë reklama të palejuara dhe të luajnë me pacientët”.

Ky është apeli i dytë i bërë nga Ministria e Shëndetësisë. Një pjesë e mjekëve që quhen popullorë, veprojnë me petkun e sharlatanizmit, duke mbushur në këtë rast vetëm xhepat e tyre./tvklan.al






Të ngjashme