“Mos të flasin me patate në gojë”. Cilët zyrtarë të BE po sulmon Basha?
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në ndryshimin e gjendjes në Shqipëri.
Krydemokrati ka vazhduar të denoncojë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, sipas të cilit, kontrollin e ka marrë krimi përmes bashkëpunimit me politikën. Dhe për këtë akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë.
“Krimi kontrollon qytetet, lagjet e qyteteve. Është krimi që kontrollon territorin dhe ekonominë, qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe ekonomisë”
, tha Basha në konferencën ballkanike të organizuar nga LDGSH në bashkëpunim me Forumin e Gruas në PPE.
Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha nuk foli me emra konkretë, por tha se askush nuk u beson më fjalëve të zyrtarëve të caktuar të Bashkimit Europian që vazhdojnë të përkrahin Kryeministrin dhe reformat e qeverisë përmes shprehjeve të përsëritura.
“Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Kusht kryesor është ndarja e Shqipërisë nga krimi. Askush nuk ka nevojë në këtë vend dhe askush nuk i merr seriozisht ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë situatë, ata që kanë lejuar Edi Ramën të përqëndrojnë në një dorë gjithë pushtetet. Askush nuk i ha më frazat për thellim dhe intensifikim të reformave, sepse institucionet i ka kapur krimi. T’i bëjmë thirrje atyre që flasin në emër të Europës, mos na gënjejnë më. Mos të flasin me patetate në gojë, por ta thonë qartë. Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin. E kanë thënë qartë drejtues të lartë të politikës gjermane, është koha ta thonë të gjithë”
, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.
Në kuadër të këtij forumi, Basha tha se
“te gratë është çelësi kryesor i daljes nga kjo gjendje”
, për faktin se janë më pak të inkriminuara se sa politikanët burra.
/tvklan.al