Moti i keq, OSHEE në gatishmëri: Ja cilat janë zonat më të prekura
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, në një deklaratë të shpërndarë për mediat thotë se po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në rrjetin elektrik të shpërndarjes, si pasojë e përkeqësimit të motit në mbarë vendin.
Rreth 1500 punonjës të drejtorive rajonale të OSHEE, në të gjitha qarqet, janë angazhuar në brigadat e avarive për të rikthyer energjinë në zonat e prekura nga moti i keq.
“Nga informacioni i përcjellë në shtabin qendror të OSHEE, prej dispeçerëve rajonale të kompanisë, bëjmë me dije se fidrat që furnizojnë spitalet, objektet e pushtetit qendror, vendor dhe konsumatorë të rëndësisë së veçantë janë të gjithë në punë.
Gjithashtu, në punë janë dhe të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike Hidrovoret si dhe të gjitha linjat 35 kV dhe N/Stacionet janë në skeme normale furnizimi me energji elektrike”,
thuhet në deklaratë.
OSHEE thotë se gjatë natës janë konstatuar defekte të shumta për shkak të motit, por gjatë orëve të paradites së sotme janë riparuar më shumë se 65% e tyre.
Aktualisht janë riparuar në pjesën dërrmuese të tyre, defektet në rajonin e Burrelit, Vlorës dhe Kukësit.
Gjatë natës ka pësuar avari linja 110kv L110-28 Fushë – Arrëz – Kalimash, por rreth orës 09:42 është riparuar avaria në këtë linjë dhe kanë marrë energji të gjitha zonat e prekura nga ky defekt, thekson OSHEE.
Rajonet më të prekura nga defektet janë:
Rajoni Tiranë: Shënmeri , Mullet si dhe pjesërisht Zall Bastar, Ibë
Rajoni Durrës: Likesaj, Romanat/Shijak; Karpen/Kavaje
Rajoni Elbasan: Lemnushë/Gramsh
Rajoni Berat: Potom,/Skrapar; Sulzotaj, Shenepremte/Lushnje
Rajoni Fier: Mbrostar, Seman, Topojë, Ndërmenas
Rajoni Gjirokastër: Lazarat, Dropull /Gjirokastër; Buz, Dragot/Tepelenë
Rajoni Vlorë: Amonicë, Gorisht, Kallarat, Bolenë
Rajoni Kukës: Shishtavec, Zapod, Topojan, dhe pjesërisht Ujmisht, Qytet Kukës (Lagja 7) /Kukës; pjesërisht Pac, Llugaj, Qytet Fierzë, Lekbibaj
Rajoni Shkodër: pjesërisht Zagore,/Koplik; Kashnjet si dhe pjesërisht Gjadër/Lezhë; Arrës Miliska, Rrapë/Pukë; Bërdicë, Rrethina, Guri i Zi, Dajç, Bushat si dhe pjesërisht Vau i Dejës/Shkodër
Operatori i Shpërndarjes thekson se grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më shpejt të energjisë tek të gjithë abonentët./tvklan.al