Moti i keq “paralizon” Europën
E gjithë Europa Lindore, ajo Qendrore dhe sidomos Ballkani janë përfshirë nga stuhi të forta dëbore dhe erë, të cilat kanë shkaktuar kaos në jo pak vende të kontinentit.
Në Poloni, fluturimet ajrore janë shtyrë ndërsa janë shkëputur edhe linjat e energjisë. Në veri të vendit, tokat bujqësore janë përmbytur, ndërkohë janë rregjistruar edhe disa aksidente si pasojë e trafikut në rajonet qendrore dhe jugore.
Erërat kanë arritur deri në 70 kph që nga mbrëmja e të mërkurës për të vazhduar edhe gjatë ditës së enjte.
Ndërsa Çekia është mbuluar e gjitha me më shumë se gjysmë metri dëborë, çka e ka vënë vendin në nivelet më të larta të emergjencës.
Transporti është paralizuar, jo vetëm në Çeki e Poloni, por edhe në Austri, ku situata paraqitet e njëjtë.
Duke nisur nga republikat baltike fronti i ftohtë po përparon drejt Mesdheut dhe do të përfshijë gjithë Ballkanin deri në brigjet italiane në anën tjetër të Adriatikut. Erëra të ftohta, ngricë dhe borë do jetë kryefjala e ditëve në vijim.
Temperaturat pritet të shkojnë në – 20 në territoret europiane, që do të preken nga kjo valë i ftohti, të cilat do të vijojnë deri javën e ardhshme
Tv Klan