Moti i keq rikthen problemet në mbarë vendin
Moti i keq dhe deti i trazuar shaktuan vonesa në ankorimin e trageteve dhe nisjen e tyre nga porti i Vlorës. Gjatë paradites pasagjerët e linjës Vlorë- Brindizi qëndruan për orë të tëra në det të hapur, në pamundësi për t’iu afruar kalatave të portit.
Dallgëzimi i detit arriti në 7 ballë, ndërsa shpejtësia e erës në 25 metër në sekondë. Autoritetet portuale nuk lejuan imbarkimin e pasagjerëve në tragetet me destinacion Italinë. Kjo për të evituar problemet me sigurinë e tyre.
Edhe në portin e Durrësit tragetet nga Italia mbërritën me dy orë vonesë. Puna ne sektorin e ngarkim-shkarkimit dhe atë të peshkimit u pezullua deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Si pasojë e reshjeve disa rrugë dhe lagje patën sërish përmbytje.
Reshjet e borës dhe ulja e ndjeshme e temperaturave kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rajonin e Korçës. Më problematike paraqitet lëvizja në aksin nacional Korçë-Kapshticë, ku për shkak të ngricave është i detyruar përdorimi i zinxhirëve. Sipas shtabit të emergjencave të prefekturës, të gjitha akset e tjera që lidhin Korçën me Qafë-Thanën,Korçën me Ersekën dhe Leskovikun janë të hapura dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht.
Për shkak të reshjeve, në komunën Qukës të Librazhdit u regjistruan rrëshqitje masive të tokës. Për pasojë 3 shtëpi u dëmtuan dhe janë të pabanueshme.
Njëra nga familjet e dëmtuara është strehuar në spitalin e Qukësit, ndërsa dy të tjerat në të afërmit e tyre. Shtabi i Emergjencave Civile ka shpërndarë çadra dhe ka marrë përsipër qiranë për familjet që do të strehohen përkohësisht në ambiente provizore.
15 hektarë tokë pësuan një zhvendosje prej 800 metrash, duke krijuar të çara të shumta.
Tv Klan