Motra e Kim Jong afron dy Koretë
Lojërat Olimpike dimërore që po mbahen në Pyeongchang, në Korenë e Jugut, janë shoqëruar në mënyrë të pashmangshme nga politika dhe marrëdhëniet e ndërlikuara me dy koreve.
Vizita historike e motrës së diktatorit Kim Jong-un në Korenë e Jugut, ka mbushur faqet e mediave botërore.
Kim Yo-jong mbërriti të premten në Korenë e Jugut e rrethuar nga 4 truproja speciale. 4 gjigantë të Shërbimit Sekret koreano-verior, shoqërojnë Ivanka Trumpin aziatik, shkruajnë mediat e huaja.
Kim Yo-jong është pjesëtarja e parë e dinastisë Kim, që viziton fqinjin armik. Përveçse është motra e liderit komunist, 30-vjeçarja është një nga zërat më të fortë brenda byrosë politike të Penianit. Bashkë me liderin suprem, vëllain e saj, ajo ka studiuar në Zvicër nga viti 1996 në vitin 2000.
Nje tjetër moment i veçantë ishte ai gjatë ceremonisë hapëse të lojërave dimërore, ku zyrtarja e lartë koreano-veriore shtrëngoi duart me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in. Të dy u ngritën në këmbë kur parakaloi delegacioni i përbashkët olimpik. Fare pranë tyre, zv-presidenti amerikan Mike Pence qëndroi i ulur dhe krejtësisht indiferent ndaj motrës së diktatorit. Shtëpia e Bardhë njoftoi më pas se Pence ndodhej aty për të përshëndetur delegacionin amerikan.
Prania e motrës së diktatorit ka ngrohur ndjeshëm marrëdhëniet me dy koreve. Në takimin me presidentin Moon Jae-in, Kim Yo-Jong ftoi presidentin koreano-jugor për një vizitë në Korenë e Veriut, duke i hapur rrugë takimit të parë mes krerëve të dy koreve prej më shumë se 1 dekade.
Tv Klan