MSH i përgjigjet akuzave të PD-së: Shpifjet e radhës


MSH i përgjigjet akuzave të PD-së: Shpifjet e radhës

14:45 18/04/2020

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me blerjen e materialeve mbrojtëse mjekësore.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë procedurat për blerjen e materialeve mbrojtëse për mjekët dhe infermierët gjatë kësaj epidemie janë zhvilluar duke zbatuar ligjin.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon edhe një herë Partisë Demokratike të mos hedhë baltë mbi punën dhe sakrificën e specialistëve që punojnë ditë e natë në këtë ministri, në garë me kohën për të siguruar çdo mjet të nevojshëm në këtë luftë, që personeli mjekësor të jetë i mbrojtur dhe të punojë me standarde. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë, një orë e më parë”, thuhet në një deklaratë lëshura për mediat.

Ministria e Shëndetësisë i konsideron shpifje deklaratat e opozitës.

“Shpifjet e radhës nuk do e ndihmojnë dot Partinë Demokratike të dalë nga bataku ku e ka katandisur veten, në vend që sot të ishte shembull i një opozite konstruktive dhe bashkëpunuese”.

Më tej në deklaratë thuhet se prioriteti i Ministrisë së Shëndetësisë është që të mbrohet personeli mjekësor në këtë situatë pandemie. Sipas opozitës, qeveria ka blerë me çmim më të lartë mjetet mbrojtëse për mjekët. Për këtë, sipas PD-së është zhvilluar një tender sekret./tvklan.al






Të ngjashme