MSH: Të respektohen masat gjatë festave
VMRO-DPMNE: Gjithmonë kur Filipçe lavdërohet, kemi rekord të zi
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që në periudhën në vazhdim, pikërisht gjatë festave, të respektohen masat për mbrojtje nga Covid-19. Nga kjo Ministri rikujton ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, me të cilat ndalohet grupimi i më shumë se katër personave në ambient të hapur, përkatësisht parqe, hapësira publike apo kudo qoftë në hapësirë të hapur, gjatë tërë ditës.
“Mbajtje e obligueshme e maskës mbrojtëse edhe në hapësira të mbyllura, si dhe mbajtja e higjienës personale, larje e obligueshme e duarve me sapun dhe ujë apo mjete për dezinfektim, mbajtja e distancës fizike prej dy metra çdoherë kur ajo është e mundur. Përgjegjësia për mbrojtjen e shëndetit personal, shëndetit të më të afërmve dhe shëndetit publik është obligim i çdo qytetari”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lidhur me situatën e shkaktuar nga pandemia kanë reaguar nga partia opozitare VMRO-DPMNE, të cilët thonë se “gjithmonë kur ministri Filipçe lavdërohet se ka kaluar piku, kemi rekord të zi siç është ky me 41 të vdekur gjatë ditës së djeshme”. Ata shtojnë se për shkak numrit të madh të të infektuarve dhe të vdekurve, Filipçe dhe Ministria e Shëndetësisë vonë në mbrëmje i publikojnë rezultatet.
“Se Filipçe nuk ka lidhje të menaxhojë me koronavirusin flet edhe fakti se vetëm 15% e popullatës është testuar ndërsa në shtetet tjera testimi arrin deri në 60”, thonë nga VMRO-DPMNE
Gjatë ditës së djeshme, prej 3.127 testimeve të realizuar, u regjistruan 1.022 raste të reja me Covid-19, ndërsa betejën e humbën 41 persona. Ndërkohë janë shëruar 680 pacientë. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 60.723, i të shëruarve 37.505, i të vdekurve 1.699, ndërkaq numri i rasteve aktive është 21.519.
Klan Plus