Muller paralajmëron thirrjen e Trump në gjyq
Prokurori i posaçëm Robert Muller paralajmëron se do t’i kërkojë gjykatës të lëshojë fletëthirrje për të detyruar presidentin amerikan Donald Trump të dëshmojë për skandalin “Russiagate”.
Dyshimet i hedh e përditshmja “The Washington Post”, që i referohet deklaratave të Mullerit gjatë bisedave me avokatët e Shefit të Shtëpisë së Bardhë në muajin Mars.
Muller ka marrë në pyetje disa zyrtarë e ish-zyrtarë të administratës amerikane, që kanë qenë pjesëtarë të stafit elektoral të Donald Trumpit. Prokurori special po heton lidhur me dyshimet se njerëz të lidhur me Kremlinin kanë ndikuar fshehurazi në elektoratin amerikan për të mbështetur kandidaturën e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.
Muller po përpiqet të marrë edhe dëshminë e vetë presidentit Trump lidhur me këto dyshime. Por avokatët e tij e kanë refuzuar. Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka quajtur hetimin, “farsë” dhe “gjueti shtrigash”.
Mediat amerikane publikuan një ditë më parë, disa pyetje të cilat Muller ka përgatitur ndaj Trumpit, ku ndër të tjera kërkohen arsyet e shkarkimit prej tij të shefit të FBI-së James Comey një vit më parë. Në një reagim në Twitter, Trump e quajti “të turpshëm” publikimin në media të këtyre pyetjeve.
Tv Klan