Mundësia e fundit e Shqipërisë, De Biasi: Rumania, për jetë a vdekje


Mundësia e fundit e Shqipërisë, De Biasi: Rumania, për jetë a vdekje

18:08 18/06/2016

Rumania është mundësia e fundit për të qëndruar. Formacioni pritet të ketë ndryshime. Gianni De Biasi tha në konferencën para ndeshjes se do të luajnë me një kundërshtar që ngjan në mënyrën e lojës me Shqipërinë.

Gianni De Biasi – Trajner i Kombëtares: 

“Nëse kemi dëshirën për të ecur, Rumania e ka, pasi ka edhe 1 pikë. Nëse fiton mund të quhet thuajse e kualifikuar. Na ngjan për mentalitetin, pasi është grup i bashkuar ashtu si ne, por kjo ndeshje është për jetë a vdekje”. 

Shqipëria do të kërkojë golin si e vetmja mundësi për të fituar dhe të jetë një mundësi që të kalojnë në fazën e ardhshme. Mungesë e konfirmuar është Burim Kukeli, por për portierin Etrit Berisha, trajneri ka zgjedhje të shumta për formacion.

Etrit Berisha – Futbollist i Kombëtares: 

“Ne kemi zgjedhje të shumta në të gjitha repartet dhe lojtarët janë gati të luftojnë deri në fund për të shpresuar në kualifikim”.

Kuqezinjtë janë të vetëdijshëm se kanë zhvilluar ndeshje të mira, por për të qenë pjesë e Euro 2016 pas grupeve, duhet të mos gabojnë në mbrojtje dhe të jenë të saktë në sulm.

Sfida e së dielës me Rumaninë, që do të luhet në Lion, mund të quhet më e rëndësishmja për Shqipërinë. Fitorja do të vendosë nëse do të kemi ende shpresë për të vazhduar aventurën në Euro 2016.

Tv Klan






Të ngjashme