Mundja bën bashkë Shqipërinë dhe Kosovën


Mundja bën bashkë Shqipërinë dhe Kosovën

17:50 06/02/2021

Stërvitje në prag të aktiviteteve kualifikuese për Olimpiadën

Mundës nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur në Tiranë për stërvitje të përbashkëta, në një kohë që aktivitetet janë të kufizuara për shkak të Covid-19. Mes tyre është edhe Egzon Shala, i cili e ka siguruar normën olimpike dhe shpreson të marrë medalje në Tokio.

“Medalja për Kosovën është edhe për Shqipërinë, pasi kam garuar për disa vite me Shqipërinë”, tha ai.

Egzoni mendon se kjo përgatitje që për të vlen edhe për Kampionatin Europian është një ndihmë reciproke.

“Shpresojmë që t’i ndihmojmë edhe në bashkëkombësit nga Shqipëria, por të na ndihmojnë edhe ne për shkak se me këtë virus nuk mund të udhëtojmë shumë jashtë vendit”, tha ai.

Mundësit nga Shqipëria që prej thuajse 1 viti nuk kanë zhvilluar aktivitet për shkak të ndalesave nga Covid-19 nuk duan të humbasin përfaqësimin në Lojërat Olimpike që janë planifikuar për këtë verë.

“Besoj që të dalim mirë dhe të kualifikohemi në olimpiadë”, u shpreh Paris Karepi.

“E shikoj veten shumë mirë pavarësisht se kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë. Po stërvitemi 2 herë në ditë”, tha Eriglent Prizreni.

Shqipëria ka marrë medalje edhe në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare të mundjes, por asnjëherë në olimpiadë.

Tv Klan






Të ngjashme