Mungesa e sigurisë dhe rendit në qytetin e Shkodrës (13 Mars 1999)
Kronika e krimit në qytetin e Shkodrës mbetet e hapur. Në periudhën Janar-Shkurt në qytetin e Shkodrës shënohen rreth 13 vrasje personash. Organet e Policisë bëjnë të ditur se shumica e vrasjeve lidhet me gjakmarrjen. Përballë këtij fenomeni policia dhe strukturat e tjera shtetërore ndihen të pafuqishme për të parandaluar.
Pasiguria e qytetarëve mbetet e madhe veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës. Ndërsa uniformat blu arrijnë të patrullojnë vetëm në akset kryesore të rrugëve dhe mjediseve të qytetit, në hapësirën tjetër ligjin e bëjnë maskat dhe grabitësit. Me të rënë errësira, qytetarët janë krejt të pambrojtur dhe për këtë shkak lëvizja bie maksimalisht duek shënuar dhe ndërprerjen e punëve dhe qarkullimit tregtar.
Shkodra mund të quhet ndryshe dhe qyteti i grabitjeve të automjeteve. Sipas burimeve të Policisë së qytetit vetëm gjatë një nate të muajit të shkuar maskat kanë bërë të tyre plot 11 autovetura.Pjesa dërrmuese të cilave përfshiehet në trafikun që shtrihet deri në Malin e Zi.
Ndonëse në strukturat e poicisë kohë pas kohe bëhen ndryshime dhe lëvizje, qyteti verior mbetet në krizën e vet të vendosjes së rendit dhe të qetësisë. Banorët e këtushëm shpresojnë se shteti një ditë do të bëhet zotërues i gjendjes dhe se ai do të mund të shkatërroje rrjetin e maskave që prej muajsh ia mbyllin orët e jetës këtij qyteti./tvklan.al
Gazetar : Aleksandër Çipa