Musa Ulqini, intervistë për gjendjen në veri të Shqipërisë (18 Prill 1999)
Ministri i Informacionit Musa Ulqini flet për gjendjen në kufi të Shqipërisë dhe për ardhjen e refugjatëve nga Kosova në Shqipëri.
Musa Ulqini: Në këto 24 orë janë futur në zonën e Morinës disa mijëra, shifra e ka kaluar 30 mijëshin. Vetëm gjatë natës së mbrëmshme deri në orën 3, janë futur 17500 veta në Morinë duke krijuar një situatë mjaft të rëndë. Tashmë në Kukës mendohet që janë futur 320 mijë veta duke shtuar dhe ata që janë futur nga Hani i Hotit dhe nga Maqedonia, janë gati 345 mijë shqiptarë në nevojë të dëbuar nga Kosova që janë në Shqipëri. Situata më e rëndë natyrisht është në Prefekturën e Kukësit, ku ato mijëra që kanë ardhur mbrëmë ndryshe nga të tjerët kanë ardhur në një gjendje të rëndë sepse siç dihet ata tashmë vijnë nga Kosova Veriore nga thellësitë e Kosovës, pasi kanë ecur me ditë të tëra në këmbë dhe koha e keqe natyrisht ka krijuar probleme dhe është krejt e pamundur që 140 mijë veta që janë aktualisht në Prefekturën e Kukësit kryesisht në qytetin e Kukësit dhe në rrethinat të mund të trajtohen ashtu siç duhet.
Gazetari: Pas vizitës së Kryekomandantit të NATO-s, Klark, tashmë NATO do të garantojë dhe kufijtë e Shqipërisë nga agresioni serb?
Musa Ulqini: Ka kohë që përfaqësuesit më të lartë të politikës
amerikane dhe të NATO-s kanë deklaruar që për ta sovraniteti dhe siguria e Shqipërisë është një shqetësim i madh e kanë dhënë garancitë e nevojshme për shtetin shqiptar.
Gazetari: Pra në vizitën e Klarkut u konfirmua kjo mbështetje?
Musa Ulqini: Klarku erdhi për të parë se sa efektive ka filluar të jetë angazhimi dhe ndihma e strukturave humanitare të NATO-s për të përballuar situatën. Ky ishte besoj objektivi kryesor i vizitës së tij dhe natyrisht një arsye më shumë për të thënë që me orë situata do të jetë më pozitive në drejtim të ndërhyrjes edhe më të fuqishme në të gjithë drejtimet për të përmirësuar akoma më shumë mënyrën e jetesës së këtyre mijëra dhe mijëra shqiptarëve në nevojë të dëbuar nga regjimi i Millosheviçit dhe që janë në Shqipëri./tvklan.al