Musa Ulqini intervistë për të ardhurit nga Kosova (29 Mars 1999)
Ministri i Informacionit Musa Ulqini flet për gjendjen e të ardhurve nga Kosova në Shqipëri.
Musa Ulqini: Në këto momente numri i të ardhurve në Prefekturën e Kukësit regjistrohet diku tek 80 mijë vetat, natyrisht kjo është një shifër shumë e përafërt mund të jetë shumë më e madhe, sepse nga momenti në moment autokolona pafund njerëzish që vijnë nga Kosova Perëndimore dhe Veriore, futen në Prefekturën e Kukësit. Serbët kanë dhënë ultimatum tashmë që është i njohur që nëqoftëse nuk largohen brenda 3-4 orëve ato do të digjen të gjallë në shtëpiat që bombardohen dhe digjen nga ushtria serbe.
Gazetarja: Ndërkohë cilat janë masat që ka marrë Qeveria Shqiptare për të përballuar këtë gjendje?
Musa Ulqini: Qeveria Shqiptare tani është përqëndruar në gjërat më emergjente. E para, problemi i ushqimit sepse nga momenti në moment ekziston mundësia që mijëra njerëz të kenë probleme për t’u ushqyer dhe është kjo arsyeja që në mbledhjen që sapo mbaroi u raportua nga Ministri i Bujqësisë që në Kukës kanë mbërritur 50 tonet e parë të miellit janë rrugës duke udhëtuar dhe 22 ton të tjerë. Ndërkohë që organizatat humanitare po dërgojnë edhe ato disa ton ushqime. Është e rëndësishme të them se shumë shpejt do të nisen drejt Kukësit gati 50 mijë pako ushqimore që janë në rezervat e Durrësit, të UNCR-së dhe çdo pako është 22 kilogram, pra është një ndihmë e madhe. Makinat po bëhen gati për t’i transportuar drejt Kukësit dhe ne mendojmë që të paktën ata që janë nuk do të rrezikohen pra nuk do të ketë njerëz që do të vdesin për punën e bukës dhe të ushqimit.
Gazetarja: Mendoni se e përballon dot Shteti Shqiptar një gjendje të tillë?
Musa Ulqini: Natyrisht që brenda 24 orëve Qeveria Shqiptare u ndodh para 80 mijë njerëzve në nevojë, me probleme shumë të mëdha, të cilat kërkojnë jo vetëm ushqim, veshje, vend për të fjetur por kërkojnë dhe trajtim mjekësor dhe natyrisht është një rast i paprecedentë. Ne ishim përgatitur për 25 mijë, 30 mijë, jo për kaq shumë dhe jo për kaq shumë shpejt, kështuqë mund të bëhen shumë kritika për Qeverinë, por në të vërtetë tashmë ky nuk është një problem që i përket vetëm Qeverisë Shqiptare, vetëm Shtetit Shqiptar, vetëm shqiptarëve, është një problem që u përket gjithë komunitetit ndërkombëtar. Është kjo arsyeja që në takimin që sapo mbaroi me grupin Miqtë e Shqipërisë, ku ishte Kryeministri, Zëvëndëskryeministri, Qeveria Shqiptare zyrtarisht atje bëri një apel duke theksuar atë që thashë më parë, duke u kërkuar ndërhyrjen emergjente./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego