Mutacioni i ri i koronavirusit shkakton konfuzion


Mutacioni i ri i koronavirusit shkakton konfuzion

22:11 22/12/2020

Shkencëtarët: Ende herët për të arritur në përfundime për veçoritë e tij

Mutacioni i ri i koronavirusit i shfaqur në Britaninë e Madhe ka shkaktuar jo pak konfuzion mes shkencëtarëve dhe politikanëve mbi rrezikshmërinë që paraqet. Shefi i OBSH-së bën thirrje për të mos u përfshirë nga paniku, ndërsa thotë se masat bllokuese janë të nevojshme për frenimin e përhapjes së çfarëdo virusi vdekjeprurës.

“Virusi pëson mutacion me kalimin e kohës dhe kjo është natyrale dhe e pritshme. Britania e Madhe ka njoftuar se varianti i ri përhapet më me lehtësi, por nuk ka prova deri tani se mund të shkaktojë një sëmundje më të rëndë ose vdekshmëri më të lartë”.

Për drejtuesin e firmës BioNtech, që krijoi të parën vaksinë të aprovuar për përdorim, ende nuk është e sigurt se produkti i tyre krijon mbrojtje ndaj këtij mutacioni.

“Ka pësuar 9 mutacione, jo vetëm 1 dhe nuk dimë për momentin nëse vaksina jonë është në gjendje për të krijuar mbrojtje ndaj variantit të ri, por shkencërisht imuniteti i krijuar nga vaksina ka shumë të ngjarë ta përballojë atë”.

Bujë ka bërë edhe deklarata e ekspertit gjerman të virologjisë Kristian Drosten, i cili hedh dyshime mbi deklaratat e Kryeministrit Boris Johnson se mutacioni i ri përhapet 70% më shpejt.

:Kemi papritur një shifër, “70%” dhe askush nuk e kupton çfarë do të thotë kjo. Për të parë transmetueshmërinë, duhen këqyrur personat e infektuar, kush infektoi kë dhe sa kohë u desh.

Eksperti gjerman thotë po ashtu se gjurmët e këtij mutacioni janë shfaqur që në fund të Shtatorit dhe ky variant mund të jetë shkaktar i valës që po përhapet aktualisht, nisur edhe nga fakti se prania e tij është konstatuar edhe në vende të tjera.

Tv Klan






Të ngjashme